Historiku i shoqatës
Shoqata Shqiptare Bashkimi në Turku, u themelua më 13 mars 1998, në iniciativë dhe kërkesë të vetë bashkatdhetarëve. Qëllim primar ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtarë të bashkatdhetarëve me banim në Turku me rrethinë. Që nga fillimi i punës, Shoqata Shqiptare Bashkimi kishte veprimtari kulturore, informative, sportive dhe humanitare. Nga themelimi e deri më sot në organizim të Shoqatës Bashkimi u bë shënimi dhe manifestimi i të gjitha datave historike, u organizuan shumë mbrëmje rinore dhe shoqërore. Duhet theksuar se në tërë këtë veprimtari rol të veçante pati grupi muzikor i cili ishte edhe bartës kryesor i jetës kulturore. Këtu duhet theksuar edhe aktivitetin dhe kontributin e madh të nxënësve shqiptarë dhe arsimtarëve të tyre.

Në lëmine e informimit, në fillim ishin intervista në gazeta dhe mjete tjera të informimit në finlandisht. Bashkatdhetarët nga ky vend aktivisht morën pjesë në të gjitha protestat që u mbajtën në përkrahje vendlindjes. Forma tjera informimi ishin ato të tubimeve me anëtarë dhe bashkatdhetarë. Fillimi i programit Zëri i Vendlindjes në valët e Radio Robin Hood nga viti 2000 ishte ngjarje me rëndësi për bashkatdhetarët në Turku me rrethinë. Kjo veprimtari filloj në kuadër të Këshillit të informimit në Shoqatën Shqiptare Bashkimi. Në program trajtoheshin tema nga vendlindja, jeta dhe aktiviteti i bashkatdhetarëve si dhe shoqëria finlandeze.

Në vitin 2000 në kuadër të lëmisë së informimit Shoqata Shqiptare Bashkimi nxori edhe katër numra të revistës Bashkimi. Nga viti 2003 në valët e Radio Robin Hood në Turku ka filluar edhe programi Përshëndetje dhe Urime po ashtu në valët FM 91,5Mhz si dhe transmetim kabllorit 93,9Mhz. Kështu u realizua edhe një dëshirë e dëgjuesve.

Aktivitet me rëndësi në Shoqatën Bashkimi ishte edhe sporti. Që nga themelimi i Shoqatës e deri më sot përherë aktiviteti sportiv u zhvillua në salla, si dhe fusha sportive. Në fillim aktivitet kishte në basket dhe futboll. Gjithherë Shoqata Bashkimi mori pjesë në turnirë me ekipin Kosova, në fillim si pjesëmarrës, e më vonë si organizatore e turnirëve në mesin e grupit tonë dhe më vonë edhe e turnirëve shume nacionalë në Turku. Ekipi Kosova padyshim ishte gjithherë më i suksesshmi. Shoqata Shqiptare ”Bashkimi” në vitin 2003 themeloi Klubin e shahut Bashkimi i cili tani bënë gara në divizionin e dytë. Këtë vit u themelua edhe një ekip i ri i shahut cili tani garon në divizionin e tretë. Për kënaqësinë e adhuruesve të futbollit, këtë vit Shoqata Bashkimi themeloi dhe regjistroj zyrtarisht klubin futbollist Kosova në futboll të vogël i cili filloj garat me sukses në divizionin e tretë.

Shoqata Bashkimi në vitin 2001 filloj edhe veprimtari në integrimin e anëtareve dhe bashkatdhetarëve në shoqërinë finlandeze. Fillimisht me organizimin e kurseve për kërkim pune në gjuhën shqipe, si lloj i parë në Turku dhe Finlandë. Nga suksesi i kësaj pune nga gushti 2002 Shoqata fitoj edhe projektin URA, i cili kishte për qëllim ndihmën për punësim dhe integrim në shoqërinë finlandeze. Nga puna e mirë në këtë projekt, Shoqata realizoj nga maji 2005 edhe Projektin JETA, i cili u dedikohet të ringjeve dhe atyre gjatë pa punë. Kështu që u krijuan kushte për punësimin e 18 vetave në forma të ndryshme në Shoqatën ”Bashkimi” në vitin 2005.

Shoqata Shqiptare Bashkimi ka organizuar në shtator të vitit 2003 një tubim të bashkatdhetarëve nga shumë pjesë të Finlandës. Në këtë tubim ka filluar një iniciativa për organizim më të mirë të shqiptarëve dhe bashkatdhetarëve e shoqatave në Finlandë.Shoqata Shqiptare Bashkimi ka edhe Forumin e gruas.

Shoqatës Shqiptare Bashkimi nuk i ka munguar veprimtaria humanitare nga themelimi i saj. Kujtohen grumbullimet e ndihmave në ushqim, veshmbathje dhe mjete financiare për vendlindje në bashkëpunim me kryqin e kuq ndërkombëtarë. Aktiviteti në procesin e ”3%”, ”Vendlindja thërret”… Anëtarët e Shoqatës Bashkimi dhe bashkatdhetarët nga ky vend janë solidarizuar gjithmonë në raste të ndryshme me bashkatdhetarët në tërë Finlandën. Në vitin 2003 anëtaret e Shoqatës grumbulluan 3 mijë euro dhe u ndanë familjeve në varfëri të skajshme në Kosovë. Një çështje me rëndësi që kjo Shoqatë bëri, është themelimi i Fondit humanitar për transportimin e kufomave në vendlindje. Anëtarësimi në këtë fond është në rritje.

Shoqate bashkimi tani ka edhe grupin e valltarëve Grupi i valltareve. Ky grup, përveç pjesëmarrjes ne festat e organizuara nga shoqata për komunitetin shqiptarë, po ashtu përfaqëson kulturën shqiptare edhe ne festa të ndryshme të organizuare nga qyteti i Turkut.